Kerko
 

Kontakt
Adresa: Rr.Elbasanit,
Pall.EDIL-AL-IT
P.O Box 1437
Tirane, Shqiperi

Tel: 355 4 346 077
Cel: 068 20 63 069

Email: info@ieka.org.al

Kerkesat qe duhet plotesuar

Pjese nga Ligji Nr.10 091, datë 5.3.2009

"PËR AUDITIMIN LIGJOR, ORGANIZIMIN E PROFESIONIT  TE EKSPERTIT KONTABËL  TË REGJISTRUAR DHE TË KONTABILISTIT TË MIRATUAR"
Seksioni II Certifikimi dhe regjistrimi i ekspertëve kontabël 

Neni 17
Autoriteti i Certifikimit

1. Për të realizuar certifikimin e kandidatëve për ekspertë kontabël ngrihet dhe funksionon Autoriteti i Certifikimit, i cili është në varësi të Ministrit të Financave.
2. Autoriteti i Certifikimit përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët emërohen për një periudhë trevjeçare. Kryetari i Autoritetit të Certifikimit emërohet nga Ministri i Financave. Anëtarët e Autoritetit të Certifikimit emërohen nga Ministri i Financave, sipas propozimeve të mëposhtme:
a) një përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë;
b) një përfaqësues i Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit;
c) një përfaqësues i organizatës profesionale të ekspertëve kontabël të regjistruar;
ç) një përfaqësues nga organizatat profesionale të fushës së kontabilitetit.
3. Përfaqësuesit e parashikuar në pikën 2 të këtij neni duhet të jenë individë të diplomuar dhe të specializuar në fushat e ekonomisë dhe/ose të jurisprudencës, të lidhura me auditimin, kontabilitetin e financën, me përvojë jo më të vogël se pesë vjet, si dhe të kenë punuar në institucionin apo organizatën propozuese.
4. Autoriteti i Certifikimit merret me zbatimin e procedurave të testimit të njohurive të kandidatëve, të cilët kanë përmbushur kërkesat e stazhit profesional ose kanë fituar të drejtën të testohen për njohuritë e tyre teorike dhe praktike, pa pasur nevojë për kryerjen e stazhit profesional.
5. Rregullat e funksionimit të Autoritetit të Certifikimit dhe procedurat e testimit hartohen nga bordi dhe miratohen me udhëzim të Ministrit të Financave.
6. Organizata profesionale e ekspertëve kontabël, për organizimin e testimit, vë në dispozicion të Autoritetit të Certifikimit stafin e vet, me cilësinë e sekretarisë teknike.
 
Neni 18
P
rovimi i aftësive profesionale

1. Për të kryer testimin e aftësive profesionale, kandidatët duhet t'i drejtojnë kërkesë me shkrim Autoritetit të Certifikimit, e cila depozitohet pranë organizatës profesionale të ekspertëve kontabël. Ajo duhet të shoqërohet me dokumentet e nevojshme, që tregojnë përfundimin me sukses të stazhit profesional, ose që kandidati ka fituar të drejtën e përjashtimit nga kryerja e stazhit profesional.
2. Provimi i aftësisë profesionale përmban, të paktën, pesë teste të detyrueshme me shkrim, të cilat mbulojnë këto disiplina:
a) kontabilitet, raportim financiar dhe analizë e pasqyrave financiare;
b) e drejtë civile, e drejtë penale, legjislacioni tregtar dhe e drejtë e punës në Republikën e Shqipërisë, në masën që këto i interesojnë auditimit ligjor të pasqyrave financiare;
c) kodi i etikës për profesionistët kontabël, standardet ndërkombëtare të kontrollit të cilësisë, standardet ndërkombëtare të auditimit, direktivat e praktikave ndërkombëtare të auditimit, standardet ndërkombëtare të angazhimeve për të rishikuar, standardet ndërkombëtare të angazhimeve të dhënies së sigurisë dhe standardet për çështje specifike, të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve dhe të përkthyera, si dhe rregullat e organizimit të profesionit të ekspertit kontabël, të parashikuara në këtë ligj dhe në aktet në zbatim të tij;
ç) organizimi, drejtimi, administrimi dhe kontrolli i brendshëm i personave juridikë, përfshirë sistemet e informacionit dhe të informatikës;
d) legjislacioni fiskal në Republikën e Shqipërisë.
3. Çdonjëri nga këto teste vlerësohet me pikë nga 0 deri në 20. Vlerësimi i domosdoshëm për t'u kualifikuar për çdo test është nga 10 deri në 20 pikë. Çdo vlerësim i tri testeve të para më i ulët se 10 pikë është eliminues, duke ndërprerë vijimin e mëtejshëm të testimit në atë sezon, për ta rifilluar te provimi i radhës, në sezonin e ardhshëm, nëse kushtet dhe programi i provimeve nuk kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme. Në rastet e tjera, kur vlerësimi është më i ulët se 10 pikë, testimi mund të rijepet vetëm sezonin tjetër.
4. Sezoni i provimeve zhvillohet një herë në vit, në datat e miratuara nga Autoriteti i Certifikimit.
5. Kandidatët, që kanë fituar titullin "Kontabilist i miratuar", pasi kanë kaluar dy provimet e para, të parashikuara në shkronjat "a" e "b" të pikës 2 të këtij neni, kalojnë drejtpërdrejt në testin e tretë të provimit të aftësisë profesionale, nëse:
a)      kryejnë stazhin profesional, sipas parashikimeve të këtij kreu;
b) kushtet dhe programi i dy provimeve të dhëna nuk kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme, për shkak të ndryshimeve thelbësore të legjislacionit, të përfshirë në këto nënndarje.
6. Kostot administrative të organizimit të testimit përballohen nga kandidatët.
7. Shtetasit shqiptarë, të cilët kanë fituar titullin CPA apo ACCA në një shtet tjetër, përjashtohen nga detyrimi për kryerjen e provimit të aftësive profesionale për shkronjat "a", "c" e "ç" të pikës 2 të këtij neni. Përmbajtja e dokumentacionit, që paraqitet për regjistrimin e këtyre shtetasve në regjistrin publik të ekspertëve kontabël të regjistruar, përcaktohet nga bordi.

Neni 19
Autoriteti i Regjistrimit
 
1. Pranë organizatës profesionale të ekspertëve kontabël ngrihet dhe funksionon Autoriteti i Regjistrimit, i cili është një organ kolegjial, që merret me zbatimin e procedurave të regjistrimit të ekspertëve kontabël, vendas dhe të huaj dhe të shoqërive të auditimit, vendase dhe të huaja.
2. Autoriteti i Regjistrimit përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët emërohen për një periudhë trevjeçare. Kryetari i Autoritetit të Regjistrimit emërohet nga ministri përgjegjës për ekonominë. Katër anëtarët emërohen nga ministri përgjegjës për ekonominë, sipas propozimeve të mëposhtme:
a) një përfaqësues i Ministrisë së Financave;
b) një përfaqësues i ministrisë që mbulon fushën e ekonomisë;
c) një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;
ç) një përfaqësues i organizatës profesionale të ekspertëve kontabël të regjistruar.
3. Anëtarët e Autoritetit të Regjistrimit duhet të jenë profesionistë të fushës së ekonomisë dhe/ose jurisprudencës dhe të kenë njohuri në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe financës.
4. Rregullat e hollësishme të funksionimit të Autoritetit të Regjistrimit, të respektimit të periodicitetit të mbledhjeve, si dhe procedurat e marrjes së vendimeve dhe miratimit të regjistrimit, hartohen nga bordi dhe miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.
5. Administrimi i procesit të regjistrimit bëhet nga organizata profesionale e ekspertëve kontabël. Kostot e regjistrimit përballohen nga kandidatët që kërkojnë regjistrim dhe nga të ardhurat e organizatës profesionale.
6. Autoriteti i Regjistrimit mblidhet një herë në dy muaj.
 
Neni 20
Regjistrimi i ekspertëve kontabël
 
1. Regjistrimi i ekspertëve kontabël është procesi i përfshirjes së tyre në regjistrin publik të ekspertëve kontabël të regjistruar.
2. Kërkesa e kandidatit për regjistrim i adresohet, me shkrim, Autoritetit të Regjistrimit, përmes organizatës profesionale të ekspertëve kontabël. Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentet e nevojshme, që tregojnë për përfundimin me sukses të provimeve të aftësisë profesionale, si dhe të deklaratës së lëshuar në përgjegjësinë personale të individit, për dhënien fund të papajtueshmërive, që kërkohen për ushtrimin e profesionit në praktikë dhe për garancitë etike e morale.
3. Ekspertët kontabël të regjistruar nga Autoriteti i Regjistrimit përfshihen në regjistrin publik, që mbahet dhe përditësohet nga organizata profesionale e ekspertëve kontabël. Vetëm pas kësaj përfshirjeje, ata kanë të drejtë të kryejnë veprimtarinë e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara të shoqërive tregtare, si edhe të kryejnë shërbime të tjera apo shërbime të lidhura, kur ato nuk bien ndesh me kërkesat e parashikuara në këtë ligj, me standardet profesionale dhe me kodin e etikës.
 
Neni 21
Regjistrimi i shoqërive audituese
 
Autoriteti i Regjistrimit e regjistron një shoqëri audituese për kryerjen e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara të shoqërive tregtare, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë, në qoftë se shoqëria audituese plotëson kushtet e mëposhtme:
a) është themeluar në përputhje me kërkesat e ligjit "Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare" dhe, kur është e huaj, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit;
b) shumica e të drejtave të votës në kapitalin e shoqërisë zotërohen nga shoqëri audituese, vendase ose të huaja, ose nga ekspertë kontabël;
c) shumica deri në maksimumin 75 për qind e anëtarëve të organit drejtues ose administrativ të shoqërisë audituese janë ekspertë kontabël, vendas ose të huaj, të njohur nga Autoriteti i Regjistrimit dhe të regjistruar në regjistrin publik të ekspertëve kontabël të regjistruar. Kur organi drejtues ose administrativ nuk ka më shumë se dy anëtarë, të paktën njëri prej këtyre anëtarëve duhet të plotësojë kushtet e përmendura në këtë shkronjë;
ç) shoqëria angazhon ekspertë kontabël, vendas ose të huaj, të cilët janë të regjistruar në regjistrin publik të ekspertëve kontabël;
d) shoqëria gëzon reputacion të mirë.
 
Neni 22
Regjistrimi i ekspertëve kontabël të huaj

1. Për t'u regjistruar në regjistrin publik, eksperti kontabël i huaj fillimisht i drejtohet, me një kërkesë me shkrim, për dhënien e provimit të aftësive profesionale, Autoritetit të Certifikimit, duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm, që tregon për titullin e marrë në një shtet tjetër.
2. Përmbajtja e dokumentacionit, që paraqitet për regjistrimin e ekspertit kontabël të huaj dhe të shoqërive të huaja audituese në regjistrin publik të ekspertëve kontabël të regjistruar, përcaktohet nga bordi dhe miratohet nga Ministri i Financave.
3. Këshilli drejtues i organizatës profesionale bën vlerësimin e pajtueshmërisë së kushteve të përgatitjes së ekspertit kontabël të huaj me kushtet e përgatitjes së ekspertëve kontabël të regjistruar vendas dhe i dërgon një raport Autoritetit të Regjistrimit.
4. Testi kryhet në gjuhën shqipe ose në atë angleze dhe mbulon njohuritë e mjaftueshme, që i nevojiten ekspertit kontabël të regjistruar ligjor, për ligjet dhe rregullat që zbatohen në Republikën e Shqipërisë në masën që ato kanë lidhje me kontabilitetin e auditimin ligjor.